Kur një zyrtar rus i mbrojtjes arrestohet në Rusi, është diçka interesante. Mirëpo kur katër figura të larta prangosen për më pak se një muaj, është më shumë se model. Është spastrim, shkruan redaktori i BBC-së për Rusinë, Steve Rosenberg.
Ushtaraku i fundit që u mbyll në burg është gjenerali Vadim Shamarin, zëvendësshef i stafit të gjeneralit të ushtrisë dhe shefi i Drejtorisë kryesore të Komunikimeve në Forcat e Armatosura Ruse.
Është akuzuar për ryshfet dhe për dy muaj do të jetë në paraburgim para se të nisë procesi gjyqësor.
Numër i madh i figurave ushtarake kanë rënë nga pushteti shkaku i akuzave për korrupsion, përfshirë zëvendësministrin e Mbrojtjes, Timur Ivanov dhe gjeneral-lejtnant Yuri Kuznetsov.
Ka ndryshime edhe në krye të ministrisë. Në formatimin e fundit, presidenti Vladimir Putin zëvendësoi ministrin e kamotshëm të Mbrojtjes, Sergei Shoigu me ekonomistin teknokrat Andrei Belousov. Kjo mund të interpretohet si përpjekje nga Kremlini që ushtria të jetë më efikase dhe të luftojë korrupsionin.
Arrestimi i figurave të larta ushtarake reflekton keq për lidershipin e ushtrisë që i ka prirë luftës ruse në Ukrainë.
Ka një ironi në krejt këtë.
E mbani mend Yevgeny Prigozhinin? Një vit më parë, kryemercenari i “Wangerit” publikisht kishte kritikuar shefat ushtarak. Kishte akuzuar ata për paaftësi dhe korrupsion, ndërkaq i kishte fajësuar edhe për dështimet në frontin e luftës në Ukrainë. Prigozhin ua kishte vënë syrin me kritika Sergei Shoigut dhe Valery Gerasimov. Kishte kërkuar zëvendësimin e tyre.
Këto kritika dolën nga kontrolli dhe nxitën kryengritjen 24 orëshe të grupit “Wagner”.
Mercenarët morën kontrollin e bazave ushtarake në jug të Rusisë dhe nisën marshimin drejt Moskës, duke sfiduar autoritetin e Putinit. Mirëpo Prigozhin kishte synim udhëheqësit e ushtrisë.
Dështoi. Putini u bë me shefat e ushtrisë së tij. Prigozhini humbi betejën për pushtet me Shoigun dhe Gerasimovin. Pak javë më vonë, ai humbi jetën nga rrëzimi i aeroplanit.
Mirëpo një vit më vonë, Kremlini ka nisur spastrimin e ushtrisë.
Kjo tregon diçka edhe për presidentin Putin. Atij nuk i pëlqen të veprojë nën presion. Kjo nuk do të thotë se ai nuk do të veprojë. Vepron vetëm kur ka qejf.
Deri më tani nuk është e qartë se si do të vazhdojë ky spastrim; sa figura do të përfundojnë në burg.
Ish-komandanti i brigadës së 56 të Rusisë, Ivan Popov është arrestuar gjatë kësaj jave nën dyshimet për mashtrim.
Vitin e kaluar kishte njoftuar se është shkarkuar nga detyra pasi është ankuar për problemet në frontin e luftës në Ukrainë.