Një rast i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës, ku një polic me gradën e rreshterit ka mbetur i vrarë si pasojë e sulmeve në fshatin Banjskë të Leposaviqit, ndërsa një tjetër zyrtar policor kufitar është plagosur, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se polici i vrarë është rreshteri Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se rreth orës 02:34 njësitet për reagim të shpejtë e kanë vërejtur se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda kamionë (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi ajo është bllokuar.
“Njësitë e rendit të stacionit policor Zveçan, pas pranimit të informacionit, i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërritur në afërsi të vendit, ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”.
Policia ka thënë se njësitet e saj janë duke u sulmuar kohë pas kohe nga grupe të organizuara dhe të armatosura.
Kryeministri Kurti ka thënë se “kriminelët ekzekutorë” do të dështojnë dhe do të gjykohen.
Kryeministri Albin Kurti e ka dënuar sulmin, duke thënë u krye nga krimi i organizuar që po mbështetet nga Beogradi zyrtar.
“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.”