Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar një drejtor të KPM-së, i dyshuar për marrje ryshfeti. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Arben Bilallin, drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
“Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim me Policinë e Kosovës, më 29.06.2021, ka ndaluar personin me inicialet A.B., Drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve fillestare, personi i lartcekur dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8.000 € (tetë mijë euro), me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/