Nesër në një prej hoteleve të kryeqytetit do të mblidhen delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të zgjedhur kryetarin e ri. Rreth 350 delegatëve të kësaj partie që do të marrin pjesë nesër në një prej takimeve më të rëndësishme për të ardhmen e partisë, iu është dërguar edhe rendi i ditës, transmeton Gazeta Sinjali.
Mbledhja do të fillojë në orën 10:00 të mëngjesit, derisa nga ora 9 deri në orën 9 e 45 është koha kur delegatët duhet të mblidhen në hotelin “Emerald” ku edhe do të mbahet Kuvendi Zgjedhor.
Në pikën e parë të rendit të ditës do të zgjidhen trupat punuese të Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e Komisionit Verifikues (13 anëtarë), Kryesisë së Punës (5), Komisionit Kandidues, atij Zgjedhor dhe procesmbajtësve.
Më pikën e dytë të rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës që do ta pasojë Isa Mustafën.
Deri tash, kandidaturat e bëra publike janë ajo e Lumir Abdixhikut, Lutfi Haziri, Anton Qunit dhe Besian Mustafës.
LDK në këtë proces të brendshëm zgjedhor ka hyrë pas një disfate të rëndë në zgjedhjet e 14 shkurtit ku doli si parti e tretë me 100 mijë vota më pak se në zgjedhjet e kaluara të 6 tetorit. /Gazeta Sinjali/