Jo rrallëherë zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Këto kërcënime shpesh eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali. Për një rast të tillë, që ka ndodhur dje në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, Policia ka arrestuar një person.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për pronarin e një mobil shopi në këtë rrugë, Arif Hysenaj, i cili dyshohet se kërcënoi dhe sulmoi zyrtarët policorë pasi shqiptuan një gjobë për kundërvajtje në trafik. Këtë herë, dënimi nuk ishte për të dyshuarin, por për një klient të tij. Sipas informacioneve të para kjo edhe ishte arsyeja e kanosjes.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur pasi i dyshuari ka dalë nga lokali dhe iu ka thënë policëve se “m’keni lodhë bre, po mi dënoni klientët”. Pas këtyre fjalëve, ai u urdhërua nga Policia që të mos i pengojë, por kërkesa e tyre u refuzua dhe i dyshuari vazhdoi të t’i kërcënojë.
Përballë kësaj situate, Policia u detyrua që ta arrestojë të dyshuarin, i cili përveç që rezistoi gjatë prangosjes, dyshohet edhe që i sulmoi zyrtarët policorë, duke iu shkaktuar lëndime trupore.
Ai është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar dhe Lëndim i lehtë trupor”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.