Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Sinjali raportoi për një rast të tillë që ka ndodhur dje në Ferizaj, ku u arrestua një person.
I dyshuari ka sulmuar zyrtarët policorë, që kishin shkuar për të intervenuar pasi i njëjti u denoncua nga një grua për kanosje.
Sinjali ka mësuar se i dyshuari për këtë rast është Erdoan Neziri, rreth 31-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
I dyshuari fillimisht kishte kanosur viktimën, e cila kërkoi ndihmën e Policisë dhe pasi zyrtarët policorë dolën në vendin e ngjarjes, i njëjti nuk ka përfillur urdhrat dhe ka rezistuar. Më pas, Neziri po dyshohet se eskaloi në sulm me grushte ndaj policëve.
Pavarësisht pengesave, Policia e ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili më pas është intervistuar nga hetuesit policorë.
Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.