Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës sot kanë zhvilluar një aksion për rastin e njohur si ‘Brezovica’ ku janë arrestuar edhe shtatë persona.
Gazeta Sinjali mëson se në mesin e personave të arrestuar është edhe Arian Idrizaj, i cili dyshohet për veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’.
Sot Gazeta Sinjali ka raportuar se në këtë aksion është prangosur edhe Ish-kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), Ilir Morina.
Gjatë këtij aksioni janë bastisur 12 lokacione të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan dhe janë gjithsej shtatë të arrestuar.
“Deri më tani janë arrestuar shtatë (7) persona, tre (3) prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër (4) pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Kujtojmë se më 21 dhjetor 2021, gjatë aksionit ‘Brezovica’ u arrestuan 10 persona, ndër ta edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.
Ai po dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Shtërpcës ka pranuar ryshfet me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’, në vikend zonën e Brezovicës.