Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht sot për një aksion të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, të zhvilluar në rajonin e Prizrenit, ku cak ishin personat e përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të fajdes. Gjashtë të dyshuar përfunduan në pranga pas bastisjeve të kryera në Prizren e Suharekë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht emrat e gjashtë të arrestuarve, të cilët janë: Lulzim Ahmetaj, Xhevdet Kokollari, Leotrim Muçaj, Kujtim Kabashi, Bekim Kabashi dhe Durim Gashi.
Por, nuk është hera e parë që njëri nga gjashtë të arrestuarit përfundon në prangat e Policisë.
Bëhet fjalë për të dyshuarin me të kaluar kriminale, Xhevdet Kokallari, i cili muaj më parë ishte arrestuar për një rast, të cilin Policia atë kohë e kishte cilësuar si “Vrasje në Tentativë”.
Xhevdet Kokallari, bashkë me familjarin e tij Taulant Kokallari, më 30 mars të këtij viti kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture në Prizren.
Siç ka raportuar Sinjali para disa muajsh, rasti kishte ndodhur në rrugën “Gani Saramati”, ku Xhevdet Kokallari dhe Taulant Kokallari nga vetura e tyre kishin gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një veture tjetër, në të cilën ishte Altin Kabashi, i cili po ashtu është emër i njohur për institucionet e sigurisë.
Xhevdet Kokallari dhe Taulant Kokallari ishin arrestuar nga Policia, me ç’rast ishte sekuestruar edhe arma me të cilën ata dyshohet se gjuajtën në drejtim të Altin Kabashit.
Ndërkaq, me urdhër të Prokurorit ishte bastisur edhe shtëpia e të dyshuarve por sipas Policisë aty nuk ishte gjetur ndonjë gjë e dyshimtë apo e ndaluar me ligj.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.