image Ky është kosovari tjetër që u kap me drogë nga policia shqiptare

Politikë

Ky është kosovari tjetër që u kap me drogë nga policia shqiptare

news image

Mithat Ramadani, 30 vjeç, është kosovari tjetër që është arrestuar nga policia shqiptare pasi është kapur me droge.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Shqipërisë në një komunikatë të gjatë për media.

“Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

“Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Plani për shpërndarjen e kësaj sasie ekstazie ishte i detajuar. Policia ka bërë të ditur se droga futej nga Kosova në Shqipëri me autobusë, duke shfrytëzuar sezonin turistik.

Pasi dërgesat shkonin në Shqipëri, shpërndaheshin nëpër vende bregdetare.

“Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

“Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar maksimalisht për të parandaluar dhe luftuar veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së drogave të lehta dhe të forta”, përfundon komunikata.

/GazetaSinjali/