Gazeta Sinjali raportoi sot për një përleshje që ka ndodhur të shtunën pasdite në Klinikën e Gastroenterologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku është përfshirë një infermier dhe një person tjetër. Policia u desh të ndërhynte në këtë rast, ndërsa palët e përfshira përfunduan në stacion policor në cilësinë e të dyshuarve.
Burimet e Sinjalit nga QKUK-ja kanë bërë me dije se infermieri i dyshuar për këtë rast është Armend Bajrami, 53-vjeçar, ndaj të cilit me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për sulm dhe kanosje. Ndërsa i dyshuari tjetër është Riad Jakupi, 21-vjeçar, i cili po ashtu po hetohet për kanosje.
Bajrami dhe Jakupi janë shoqëruar gjatë ditës së djeshme në Polici, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë në lidhje me motivin e ngjarjes, i cili akoma është i panjohur, si dhe me informacionet e para se si erdhi deri te përleshja që alarmoi pacientët e stafin brenda klinikës.
Ashtu siç raportoi Sinjali rasti ka ndodhur pasditen e së shtunës, ku disa njësi policore u desh të intervenonin në një përleshje që kishte ndodhur mes tyre, të cilët si pasojë e një debati verbal, dyshohet se u përleshën dhe eskaluan deri në kërcënime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.