Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga organet e rendit arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Plot të akuzuar e të dënuar për vepra të ndryshme penale, që kanë ikur nga duart e drejtësisë, shpallen në kërkim dhe ndaj tyre lëshohen urdhëresa, raporton Gazeta Sinjali.
Policia ka arrestuar së fundmi një 21-vjeçar, ndaj të cilit kishte urdhëresë aktive nga Gjykata.
Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për Hamza Lubovci, i cili ra në prangat e Policisë sot në Prizren.
Gazeta Sinjali kishte raportuar për të edhe më parë, ku ishte arrestuar pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij dhe kishte kërcënuar me thikë zyrtarët policorë që kishin shkuar ta arrestonin.
21-vjeçari njihet si recidivist i veprave penale, si përdorues i substancave narkotike dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë atë kohë, ndodhej në arrest shtëpiak.
Ai dyshohet se kishte sulmuar fizikisht nënën e tij në shtëpinë e tyre dhe kur patrulla policore ka shkuar në vendin e ngjarjes, ai dyshohet se është fshehur pas derës së shtëpisë, e ka mbyllur derën dhe me një thikë kuzhine ka refuzuar t’u bindet urdhrave të zyrtarëve policorë, për të shkuar në stacion policor.
Së fundmi, ai ishte i dënuar me rreth një vit burgim për një rast të mëhershëm të ngjashëm.
Pas përfundimit të procedurave policore, i riu është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese në vend për ta vuajtur dënimin.