Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi për nisjen e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë pas denoncimit të bërë nga ana e një zyrtari policor, i cili është kërcënuar me hakmarrje, përmes rrjeteve sociale. 32-vjeçari që po dyshohet për këtë rast, ia ka lënë një mesazh policit ku i kërkon ‘fer’ dhe e paralajmëron për hakmarrje.
I dyshuari tashmë është shpallur në kërkim nga Policia, por ende s’është kapur. Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i riu që dyshohet për kërcënimin e policit është Kuvet Sogojeva.
Ndaj tij kanë nisur hetimet për ‘kanosje’, pasi dyshohet se në mesazhin e drejtuar zyrtarit policor, ndër të tjera i kishte thënë se “nëse je burrë, dilem pa uniformë dhe e shohim cili jena ma i fortë për me u rreh”. “Nëse nuk del kur të takohemi me uniformë, kam me t’u hakmarrë keq”.
Ky mesazh e shqetësoi tejmase zyrtarin policor, i cili ashtu siç e ka detyrim obligativ, e denoncoi menjëherë rastin dhe ua ofroi hetuesve dëshmitë që posedonte.
Pas raportimit të rastit, Policia fillimisht e ka ftuar të dyshuarin për intervistimin, por pasi ai nuk është paraqitur, është shpallur në kërkim, si dhe janë njoftuar stacionet përkatëse që i njëjti të ndalohet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.