Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë eskalojnë në kanosje serioze e përleshje fizike. Për pasojë, futen në sherr mes vete por edhe në telashe me Policinë. Kështu dyshohet se ndodhi dje në Kaçanik, ku një 20 vjeçar, rrahu një tjetër, për motive akoma të panjohura, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti është konfirmuar nga Policia dhe është bërë e ditur se i dyshuari tashmë është arrestuar.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Besar Burrnikun, i cili përfundoi në ndalim policor lidhur me këtë rast.
Ai po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht viktimën të moshës së mitur, në rrugën “Agim Bajrami”, ku dyshohet se ia zuri pritën dhe i doli nga një veturë.
Si pasojë e lëndimeve që mori, viktima është dërguar në QKMF për trajtim mjekësor, ndërsa Policia ka siguruar prezencën e të dyshuarit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 20-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.