Një shtetas kosovar i kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar nga INTERPOL-i është ekstraduar nga Hungaria në Kosovë. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Roland Susurin.
Ekstradimi është realizuar më 7 korrik 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Sipas Policisë së Kosovës, Susuri ishte arrestuar nga autoritetet hungareze pasi kërkohej me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Fshehje e provave”.
Policia njoftoi se i dyshuari i ishte shmangur drejtësisë para arrestimit të tij në Hungari.
“Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Hungarisë. I dyshuari, pas ekstradimit, u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas burimeve të Sinjalit, Roland Susuri ishte arrestuar edhe më herët në lidhje me të njëjtin rast.
Kujtojmë se rasti lidhet me ngjarjen e 3 janarit 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, ku mbeti i vrarë një shtetas i Shqipërisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!