Rastet e mashtrimit me shitblerje të veturave nuk janë të rralla. Shumë herë kosovarët kërkojnë ndihmë në Polici, pasi bien pre e rasteve të tilla, që iu shkaktojnë humbje. Një rast i tillë është raportuar së fundmi në Lipjan, ku një person është mashtruar gjatë një marrëveshjeje për shitblerje, ku edhe i është vjedhur vetura, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti ka ndodhur sot në rrugën “Beslidhje Kombëtare”, ku një person ka mbetur i mashtruar gjatë një marrëveshjeje për shitblerje.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ankuesi (38-vjeçar) ka thënë në Polici se ishte takuar me të dyshuarin Sherif Kurti (53 vjeçar) për të negociuar shitjen e një veture me vlerë 900 euro.
Dyshja ishin nisur së bashku drejt fshatit Samadrexh për të marrë paratë.
Megjithatë, jo gjithçka shkoi siç ishte planifikuar.
Gjatë rrugës, i dyshuari i kishte kërkuar ankuesit të ndalej në fshatin Maxhunaj, duke i thënë se do të shkonte të merrte gruan e tij dhe do të kthehej menjëherë.
Megjithatë, ai nuk është kthyer më, duke e lënë ankuesin pa veturë dhe pa marrë pagesën.
Ankuesi kishte arritur t’i merrte një pasaportë të dyshuarit para se të ndodhte mashtrimi, pasi nuk e njihte më herët personin në fjalë.
Rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.