Një ngjarje si nëpër filma ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Halil Alidemaj’ në Gjilan, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka tentuar ta ndal një veturë e cila po drejtohej nga një person i cili është në kërkim policor. I njëjti përpos që s’i është bindur urdhrit të Policisë, ka tentuar t’i godas ata me veturë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Burim Agaj, 41-vjeçar.
Të njëjtat burime njoftojnë se Agaj është person i njohur për Policinë dhe tash e një kohë është në kërkim policor për shkak të kryerjes së veprave të ndryshme penale.
Si ka ndodhur e gjithë ngjarja ku pati edhe të shtëna me armë zjarri?
Sinjali mëson se posa Agaj është urdhëruar që të ndalet, i njëjti ka lëvizur veturën e tij në drejtim të zyrtarëve policorë me qëllim që t’i godas ata.
Kjo ka bërë që një nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës të shtijë me armë në drejtim të veturës që po drejtohej nga Agaj.
41-vjeçari ka arritur që të largohet në drejtim të panjohur, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së tij.
Më urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do të merren posa të kapet i dyshuari.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.