Gazeta Sinjali dje raportoi ekskluzivisht për identitetin e katër personave të dyshuar për grabitjen që ndodhi më 12 qershor në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren. Sefer Krasniqi, Luan Bytyqi, Drilon Saramati dhe Gzim Pulaj u arrestuan dje pas një aksioni të Policisë në disa fshatra të kësaj komune.
Sinjali ka siguruar edhe pamjet nga momenti që i parapriu grabitjes, ku vodhën 600 euro nga arka.
Sinjalizues të Sinjalit e kanë identifikuar Luan Bytyqin si personi që kishte hyrë brenda marketit në cilësinë e konsumatorit, me ç’rast kishte blerë një produkt që gjendej te arka dhe ishte larguar. Sipas pamjeve pas tij kanë hyrë dy të dyshuarit, të cilët, nën kërcënimin e armës dhe të maskuar vjedhin paratë dhe largohen nga vendi i ngjarjes.
Me vendim të prokurorit, katër personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.