Jo rrallëherë të burgosurit gjejnë mundësinë që përmes formave të ndryshme të arratisen nga qendrat korrektuese ku vuajnë dënimet. Kështu ka vepruar edhe një 22-vjeçar, por i cili e shfrytëzoi pushimin e rregullt dyditor për të dalë dhe më nuk u kthye. Gazeta Sinjali raportoi sot se rasti ka ndodhur në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije së bëhet fjalë për Endrit Hoxhën, i cili po vuante dënimin me burg pasi ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Grabitje”. Ai ishte larguar më 17 nëntor nga burgu, por më 19 nëntor nuk veproi ashtu siç duhej, për t’u paraqitur në Qendër.
Pasi Policia është vënë në dijeni nga zyrtarët korrektues për rastin, e ka shpallur të riun në kërkim dhe posa të kapet do të dërgohet sërish në burg për ta vuajtur pjesën tjetër të dënimit.
Kujtojmë se raste të tilla nuk janë të rralla, për të cilat Sinjali ka raportuar edhe më parë.