image Ky është i arrestuari tjetër në aksionin “Milioni” kundër fajdes në rajonin e Prizrenit - FOTO

Siguri

Ky është i arrestuari tjetër në aksionin “Milioni” kundër fajdes në rajonin e Prizrenit – FOTO

news image

Gjashtë persona sot përfunduan në prangat e Policisë, pas një aksioni të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, të zhvilluar në rajonin e Prizrenit. Të dyshuarit u arrestuan pas bastisjeve të kryera në Prizren e Suharekë, nën dyshimet për përfshirje në veprimtarinë e kundërligjshme të fajdes, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht emrat e të arrestuarve, të cilët janë: Lulzim Ahmetaj, Xhevdet Kokollari, Leotrim Muçaj, Kujtim Kabashi, Bekim Kabashi dhe Durim Gashi.

Gjashtë të dyshuarit e lartpërmendur dyshohen për fajde, veprimtari të cilën dyshohet se e kanë kryer për një periudhë të caktuar.

Sinjali mëson se në mesin e fajdexhinjve të arrestuar është edhe një familjar i një këngëtari kosovar.

Bëhet fjalë për Lulzim Ahmetajn, që u arrestua sot bashkë me pesë fajdexhinjtë tjerë.

Ndryshe, Ahmetaj është i afërt i këngëtarit kosovar, Xhafer Ahmetaj.

Lajmi për prangosjen e gjashtë të dyshuarve për fajde u konfirmua edhe nga Prokuroria, me ç’rast janë bërë të ditura detaje të reja nga aksioni i koduar si ‘Milioni’.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë kundërligjshëm shuma të mëdha të parave si dhe prona, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro.

Po ashtu, janë sekuestruar njësi banesore, lokale, vetura, armë, kontrata e prova tjera materiale.

“Gjatë zbatimit të operacionit policor, është realizuar urdhër-kontrolli i gjykatës, ku në vendbanimet e personave të dyshuar janë sekuestruar: 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione, si: kontrata, para-kontrata, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar.

Të dyshuarit në këtë rast, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.

Të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro.

Të dyshuarit pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga PTh- Prizren, ndalohen për 48 orë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/