Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se kështu po cenohet siguria. Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të tillë që ka ndodhur në Gjakovë dhe u denoncua nga një 17-vjeçare.
I dyshuari që u raportua për ngacmim dhe përfundoi në pranga të Policisë është Samuel Gjidoda (24).
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë para dy ditësh, ku ka deklaruar se i dyshuari në vazhdimësi e kishte përcjellë, duke e ngacmuar, çka i ka shkaktuar shqetësim e frikë.
Sinjali mëson se i dyshuari është arrestuar gjatë ditës së djeshme si rezultat i raportimit të rastit dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas mbledhjes së informacioneve dhe dëshmive të të dy palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Ngacmim’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.