Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Bizneset e ndryshme shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.
Një ndër hajnat që ka kryer disa vjedhje në Prishtinë, tashmë ka rënë në prangat e Policisë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Erkan Seferin, 39-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Sinjali mëson se i njëjti dyshohet për dy raste të vjedhjeve që kanë ndodhur në kryeqytet, ku njëri rast është raportuar të ketë ndodhur në një market.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë për veprën me të cilat ngarkohet.
Me të përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.