image Ky është Elbasan Ukaj që i shpëtoi të shtënave me kallashnikov në Strellc të Deçanit

Siguri

Ky është Elbasan Ukaj që i shpëtoi të shtënave me kallashnikov në Strellc të Deçanit

news image

Një rast tentim-vrasje ka ndodhur sot në fshatin Strellc të komunës së Deçanit, ku Elbasan Ukaj u bë cak i një sulmi me armë zjarri.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për detajet e këtij rasti, ku burime të sigurta kanë bërë të ditur se Elbasan Ukaj është gjetur i përgjakur brenda kamionetës së tij, nga dy zyrtarë policorë që u përgjigjën të parët në thirrjen për ndihmë.

Sipas informacioneve të konfirmuara, Ukaj ndodhej ende në automjet kur është hasur nga patrulla policore, në gjendje të rënduar emocionale dhe i shqetësuar, me plagë të marra nga të shtënat me armë zjarri. Ai ishte duke qarkulluar me kamionin e punës, kur nga një zonë e pyllëzuar kishte dalë një person i armatosur me kallashnikov dhe kishte qëlluar në drejtim të tij.

Autori, pas sulmit, është larguar i qetë nga vendi i ngjarjes, i bindur se kishte kryer vrasjen. Por Ukaj ka arritur të mbijetojë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, duke marrë mbrojtje nga Policia për shkak të seriozitetit të rastit.

Ngjarja ka ndodhur jo larg shtëpisë së Ukajt, çka nxit dyshimet e forta se sulmi ishte i organizuar dhe i mirëplanifikuar, me njohuri të hollësishme për lëvizjet e tij.

Sinjali mëson gjithashtu se hetuesit kanë nisur mbledhjen e provave në terren, përfshirë edhe këqyrjen e kamerave të sigurisë në zonë, në përpjekje për të identifikuar autorin e sulmit dhe motivin pas atentatit.

Hetimet janë duke u udhëhequr nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Pejë, ndërsa autoritetet po konsiderojnë të gjitha pistat, përfshirë motivet personale dhe ato që mund të lidhen me aktivitete të tjera të ndaluara.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/