Gazeta Sinjali pak më parë raportoi dhe në vazhdimësi nxjerr në dritë të gjitha rastet e dhunës në familje ku viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e ish-partnerët e tyre. Bëhet fjalë për rastin e 23-vjeçares nga Vitia, e cila tash e një kohë dhunohet sistematikisht në forma të ndryshme nga tashmë ish-bashkëshorti i saj, i cili dje është arrestuar dhe ka përfunduar në ndalim policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se i dyshuari është 26-vjeçari, Urim Avdiu.
Avdiu i cili për një kohë ka jetuar dhe punuar në shtetet e jashtme, si Slloveni dhe Gjermani, edhe nga atje ka dhunuar psiqikisht ish-partneren e tij, të cilën vazhdimisht e ka kërcënuar me jetë.
Si recidivist i veprës ‘Dhunë në familje’, Avdiu është ndaluar disa herë nga Prokuroria, por që posa lirohej vazhdonte ta shqetësonte 23-vjeçaren.
Rasti i fundit për të cilin u arrestua, është denoncimi për publikimin e disa fotografive në rrjetin social Instagram, ku ish-bashkëshortja e tij shihet nudo.
Të njëjtat pamje, Avdiu dyshohet se ua ka dërguar edhe familjarëve të viktimës, ani pse të gjitha këto akuza i ka mohuar para hetuesve policorë.
Me urdhër të prokurorit, ndaj 26-vjeçarit është iniciuar rasti për veprat penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’, si dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sinjali do ta ndjek rastin në vazhdimësi dhe do t’iu mbajë të informuar nëse ndaj të njëjtit do të merren ose jo veprime të tjera ligjore, duke marrë parasysh edhe rastet e mëhershme për të cilat dyshohet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.