image Ky është arsyetimi i Gjykatës për lirimin nga aktakuza e të akuzuarve në rastin “Veteranët”

Drejtësi

Ky është arsyetimi i Gjykatës për lirimin nga aktakuza e të akuzuarve në rastin “Veteranët”

news image

Tre muaj pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin 12 të akuzuarit e rastit “Veteranët” janë liruar nga aktakuza, trupi gjykues i kryesuar nga Nushe Kukaj-Mekaj, ka përfunduar përpilimin e këtij aktgjykimi.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë duke u akuzuar ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Ata po akuzohen se duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

PSRK-ja pretendon se me këto veprime të të pandehurve, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.

Sipas aktgjykimit me shkrim të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Prishtinë ka theksuar se Prokuroria Speciale kishte dështuar të provojë dashjen e të akuzuarve për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“PSRK, ka dështuar të ndajë veprimet inkriminuese të të akuzuarve të kryera në bashkëveprim, i përfshiu në mënyrë të përgjithësuar, duke mos e marrë për bazë vërtetimin e gjendjes faktike ndryshe në shqyrtim gjyqësor me provat e administruara, nga të cilat pa dyshim u vërtetua se jo të gjithë të akuzuarit kishin qenë pjesë e KVSH-së në të njëjtën kohë”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Sipas gjykatës, edhe pse të pandehurit kishin qenë të vetëdijshëm për rritjen e numrit të përfituesve të kategorive të dala nga lufta, ky fakt nuk lidhej me dashjen e të pandehurve për kryerjen e veprës penale.

“Në kontekst të kësaj nga gjendja faktike e vërtetuar, të gjithë të akuzuarit, për kohën sa ishin pjesë e KVSH-së, bazuar në të gjitha vendimet e marra, si rezultat i punës, debateve, paqartësive, sqarimeve ligjore, metodologjisë së punës në përgjithësi, për asnjë moment nuk treguan qëllimin që procesi të përfundonte si i parregullt, përkundrazi, qëllimi i tyre ishte që çdo gjë të përfundonte brenda suazave ligjore”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Gjykata arsyeton se rritja e numrit listave të veteranëve kishte ardhur si pasojë përkufizimeve të ndryshëm të kategorizimit të veteranit luftëtar nga dy ligjet ekzistuese dhe jo nga veprimet e të akuzuarve.

“Andaj, pas parasysh se dy ligjet ishin në të njëjtën kohë në fuqi dhe kategorizimin e veteranit luftëtar e përkufizonin ndryshe nga njëri tjetri, ka bërë që rritja e numrit të jetë evidente edhe pse nga debatet e zhvilluara nga KVSH, është vërejtur qartë se gjatë gjithë kohës KVSH, kishte bërë apel që të respektohen ligjet. Rritja të veteranëve luftëtarë nuk rezultojë të jetë e ndërlidhur me veprime të të akuzuarve, siç pretendon PSRK”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Gjykata ka theksuar po ashtu se PSRK-ja kishte dështuar të provojë se të pandehurit në bashkëkryerje dhe me dashje nuk përmbushën detyrat zyrtare apo tejkaluan kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit pasurore për të tjerët.

Sipas gjykatës, PSRK kishte përshkruar veprimet e të pandehurve në mënyrë të përgjithësuar, duke mos përcaktuar detyrat e KVSH-së apo cilat kompetencat tejkaluan.

“Pra, nga  përshkrimi faktik i veprës penale rezulton se veprimet inkriminuese të pretenduara nga PSRK, janë të përgjithësuara, nuk ka përcaktuar se cilat ishin detyrat e kryetarit të KVSH, e cilat ishin detyrat  anëtarëve të KVSH-së, apo cilat kompetenca i tejkalojë kryetari i KVSH-së, e cilat anëtarët e KVSH-së, nuk përcaktojë qartë se cilën detyrë zyrtare nuk e përmbushi secili nga ata, u mjaftua që veprimet inkriminuese t’i mbështet ekskluzivisht në bisedat e zhvilluara në mbledhje të KVSH-së, duke bërë përzgjedhjet e tyre”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Tutje, gjykata thekson se kishte vërtetuar se gjithë të akuzuarit kishin pasur vullnet dhe dashje që procesi të shkonte në rregull dhe nuk kishte dashje për kryerjen e veprës penale.

“E që në rastin konkret nga kjo gjykatë u vërtetua se ishte vullnet i të gjithëve që procesi të përfundonte në suaza ligjore. Rritja e numrit të përfituesve të kategorive të dala nga lufta, nuk rezultojë si shkak i veprimeve të ndërmarra nga këtu të akuzuarit si pjesë e KVSH. Bazuar në gjendjen faktike të vërtetuar, të akuzuarit që ishin prezent në mbledhjen e 27 të KVSH, rezultojë të jenë të shqetësuar lidhur me numrin e rritur dhe ishin para një akti të kryer, pasi u kishte mbet jo më shumë se 7 ditë deri në përmbyllje, ashtu që listat u përmbyllën ashtu siç ishin, me një deklaratë përcjellëse nga përfaqësuesit e zonave, derisa i akuzuari Çeku, si kryetar i KVSH-së, përpiloj raport në lidhje me përfundimin e listave për kategorinë e veteranëve, duke i lënë mundësinë Qeverisë, që konform dispozitave ligjore të veprojë, nëse do të kishte dyshime se procesi nuk kishte shkuar në rregull”, thuhet në arsyetim.

Sipas gjykatës, PSRK-ja nuk kishte argumentuar dashjen e të akuzuarve për kryerjen e veprës penale, mirëpo, e njëjta sipas gjykatës ishte mjaftuar të argumentojë dashjen vetëm në bazë të debateve të zhvilluara në mbledhjet KVSH-së, duke anashkaluar vendimet e marra nga ky komision.

“Nga të vërtetuarat më lartë si përfundim PSRK, ka dështuar të provojë pretendimet e saj, përfshirë dhe elementin subjektiv (dashjen) të veprës penale. Është mjaftuar që dashjen e të akuzuarve në mënyrë të përgjithësuar ta bazojë në debatet zhvilluara në mbledhjet e KVSH, duke mos i dhënë rëndësi vendimeve të marra në KVSH, e të cilat vendime fare nuk i ka vlerësuar se a janë marrë në mbështetje të ligjeve në fuqi. Kjo gjykatë ka dhënë shpjegime të mjaftueshme, lidhur me secilin pretendim veç e veç, ndërlidhur me veprimet e të akuzuarve gjatë procesit të verifikimit, të cilat veprime kanë rezultuar me marrje të vendimeve të vlerësuara si të ligjshme nga gjykata, e që në mënyrë automatike përjashtojnë qëllimin e të akuzuarve, që të tjerëve tu sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet me tej në arsyetimin e gjykatës.

Gjykata po ashtu ka vlerësuar se PSRK-ja kishte dështuar të vërtetojë në mënyrë të saktë nëse numri prej 19.500 aplikuesve veteranë luftëtar a ishin të kundërligjshëm apo jo.

“PSRK, po ashtu ka dështuar të provojë në mënyrë të saktë dhe të plotë se numri prej 19.500 aplikuesve veteran luftëtar, a janë vërtetë përfitues të kundërligjshëm apo jo, u mjaftua që ndarjen prej 46.230, ta bëjë në bazë të përshkrimit të aplikacionit duke i krahasuar me përkufizimin e nenit 3 pika 1.3.2 të Ligjit Nr. 04/L-261, duke mos marrë për bazë dispozitën e nenit 3 pika 1.9 të Ligjit Nr. 04/L-054, nga i cili ligj përkufizimi i veteranit luftëtarë parashihej ndryshe, fakt i vërtetuar nga të gjithë dëshmitarët përfshirë dhe të akuzuarit që dhanë mbrojtjen”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Në lidhje me pretendimin e dëmtimit të buxhetit prej 88.769.217.04 euro, gjykata arsyeton se nuk ka mundur të vërtetojë saktë nëse kjo shumë ishte si rezultat e përfitimit të kundërligjshëm nga listat e veteranëve, pasi sipas Gjykatës nuk ishte vërtetuar fakti nëse 19.500 aplikues ishin përfitues të paligjshëm apo jo.

Përveç kësaj, gjykata argumenton se nuk ishte vërtetuar dëmtimi i buxhetit, pasi MPMS-ja kishte theksuar se kishte vetëm një aktgjykim ku ishte kërkuar ndërprerje e pensionit .

“Sa i përket provës materiale informatë e MPMS, lidhur me shumën totale të dëmit të datës 06.12.2018, në bazë të secilës PSRK, pretendon se nga kjo provë vërtetohet se 19.500 persona, përfitojnë kundërligjshëm dhe shuma totale deri në atë kohë ishte 88.769.217.04 €, me të cilën shumë pretendohet se është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, e cila provë është kundërshtuar nga të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, me arsyetimin se MPMS, në bashkëpunim me Qeverinë, në rast dyshimi kanë pasur mundësi ta ndalojnë përftimin e mëtejmë. Andaj, lidhur me këtë provë kjo gjykatë nuk ka mundur të vërtetojë saktë se vërtetë është një përfitim i kundërligjshëm nën rrethanat e cekura tek qëndrimi i dhënë lidhur me listat prej 19.500 personave, pas parasysh dhe faktin se përfaqësuesi i të dëmtuarës, në fjalën përfundimtare ka thënë se në MPMS, ka arritur vetëm një vendim i formës së prerë për të cilin është kërkuar ndërprerja e benificionit dhe sipas aktgjykimit i njëjti kishte përfituar në bazë të një certifikate të falsifikuar, fakt i cili nuk ndërlidhet me veprimet e KVSH”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin të vitit 2019.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.

/GazetaSinjali/