Ligji i ri për rregullat e trafikut, i cili ka për qëllim veçanërisht rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve në trafik, parasheh edhe dënime më të ashpra. Kohët e fundit, jo rrallëherë, Policia është përballur me kanosje e madje edhe me sulme qoftë verbale apo fizike gjatë shqiptimit të gjobave ndaj shkelësve të këtyre rregullave, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur të martën në mbrëmje në Drenas, ku zyrtarët policorë të Trafikut janë kërcënuar rëndë nga një shofer. I dyshuari përfundoi në prangat e Policisë dhe u dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, ndërsa Sinjali ka zbuluar emrin e të dyshuarit dhe detajet e rastit.
Siç merr vesh Sinjali, shoferi që po dyshohet për kanosje ndaj Policisë është Aristotel Bucolli, rreth 33-vjeçar.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari i ka kanosur policët që vepruan sipas ligjit për t’ia konfiskuar veturën, pasi nuk kishte regjistrim dhe në shenjë revolte i kërcënoi rëndë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se ndër të tjera, i dyshuari iu është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalët “unë Bucoll jom, e bllokoj stacionin si ma herët qysh e kena blloku, nëse e merrni kerrin, pozhar kam me t’bo – ja unë, ja ti…”.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion, por kërcënimet dyshohet se kanë vazhduar edhe aty.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore.
Policia ka arritur që ta vë situatën nën kontroll dhe e ka arrestuar personin e dyshuar, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Kanosja”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.