Në listën e kandidatëve për deputetë të cilëve u është ndaluar kandidimi me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për shkak se ishin dënuar në tri vitet e fundit është edhe Xhavit Ukaj nga LDK-ja. Ukën në vitin 2019, Gjykata Themelore e Prizrenit e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim për veprën penale “Kanosje”, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky aktgjykim ia pamundësoi Ukajt të kandidojë për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
Gazeta Sinjali ka siguruar aktgjykimin e plotë ku jepen detaje se si ish-deputeti i LDK-së, e kishte kërcënuar prokurorin me inicialet A.S., derisa ai ishte duke zhvilluar një procedurë hetimore ndaj djalit të tij në vitin 2018.
“Prokurori ishte duke zhvilluar procedurën hetimore ndaj birit të tij, shkon në zyre të Prokurorit, e fillimisht i tensionuar, e me ton të lartë i drejtohet me fjalët që t’ia liroj djalin nga paraburgimi, si dhe i drejtohet po ashtu me fjalët se ‘a këqyrni ju televizor, se a e dini se si bëhen hetimet, e krejt këto keni m’i pagu’ . Kur prokurori kërkon që të qetësohet e t’ia lirojë zyrën, sërish i drejtohet me fjalët se ‘keni me ardhë e me kërku falje, se të gjithë jeni matrapazë e mendoni se e keni ligjin në dorë e të bëni çka të doni’ e prapë vazhdon me fjalët ‘se edhe ju jeni si të gjithë, pasi që ke ardhë këtu se të njoh mirë’ e kur prokurori kërkon që të qetësohet e të ia liroj zyrën, i akuzuari i është drejtuar sërish me fjalët se ‘unë nuk të çoj njerëz ty e për këtë krejt ki m’i pagu’, ku ndërhynë punëtori i sigurimit dhe e largon nga zyra e prokurorit”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Për këtë vepër Ukaj u dënua nga Gjykata e Prizrenit me gjashtë muaj burgim, por me kërkesë të tij dënimi me burg iu zëvendësua me gjobë prej 2,500 euro.
“Me kërkesën e të akuzuarit dënimi me burg do t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 2500 euro, të cilën shumë i akuzuari është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në rast se i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund ta paguajë gjobën do të revokohet dënimi me gjobë dhe do të ngel në fuqi dënimi i caktuar me burg në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajve”, thuhet në aktgjykim.
Ukaj kishte deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë, por ndihet i penduar pasi atë ditë kishte qenë i tensionuar./Gazeta Sinjali/