image Kuvendi në ngërç, Bislimi: VV nuk ka nevojë për partnerë

Politikë

Kuvendi në ngërç, Bislimi: VV nuk ka nevojë për partnerë

news image

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se situata politike në Kosovë nuk përbën krizë, pavarësisht bllokimit të vazhdueshëm të seancës konstituive të Kuvendit, e cila tashmë është ndërprerë 22 herë.

Sipas tij, problemi qëndron vetëm te mungesa e vullnetit për konstituimin e Kuvendit, për të cilin nuk nevojiten partnerë, por përfshirje dhe përgjegjësi nga të gjithë deputetët.

Në një intervistë për Deutsche Welle, zhvilluar në Aachen të Gjermanisë, Bislimi u pyet se me cilët partnerë do ta tejkalojnë këtë bllokadë. Ai u përgjigj: “Ne në fakt nuk kemi krizë qeveritare. Qeveria është në detyrë. Ajo po pret Qeverinë e re që do të jetë pak a shumë me përbërje të ngjashme me atë të vjetrën. Ajo ku për momentin kemi ngecur është te konstituimi i Parlamentit, për të cilin si duket ka interesim të disa subjekteve politike që ta bllokojnë, duke paraqitur kërkesa që janë të pakuptimta dhe nuk i ndihmojnë shëndetit të demokracisë në Kosovë.”

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – po insiston që kryetarja e Kuvendit të jetë Albulena Haxhiu, por pa arritur të sigurojë votat e nevojshme. Pavarësisht kësaj, Bislimi është i bindur se nuk është e nevojshme të krijohen aleanca të reja për të zgjidhur ngërçin.

“Tash Kuvendi është i 120 deputetëve dhe duhet të konstituohet nga 120 deputetë. Aty nuk ka nevojë për partnerë. Secili e ka pjesën e vet të përgjegjësisë. Të gjithë bashkë e konstituojmë Parlamentin,” deklaroi ai.

Ai tha se Vetëvendosje po e përmbush pjesën e saj në këtë proces, përmes propozimeve dhe pjesëmarrjes në votim.

“Ajo çka kërkohet nga kjo fazë është që subjekti ta bëjë nominimin dhe të votojë,” shtoi ai, duke theksuar se “ajo që duhet të bëjnë partitë tjera është që të marrin pjesë në votim dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit.”

Bislimi po ashtu përmendi se LVV-ja ka bërë disa propozime për të tejkaluar situatën, përfshirë edhe ndryshimin e metodës së votimit, një çështje që aktualisht është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/