Kuvendi i Kosovës me 80 vota “për”, ka miratuar amendamentin dhe projektligjin për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit mes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Arsimit për programin e shkëmbimit akademik Fulbright.
Me 80 vota “për”, kuvendi ka miratuar edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për statusin e pjesëmarrjeve të Forcave së Sigurisë së Kosovës dhe Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve përkatëse.
Organi më i lartë legjislativ ka miratuar edhe marrëveshjen e tretë ndërkombëtare me 87 vota “për” projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit, nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit.
Po ashtu, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një amendament dhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Horizon Europe, korniza e programit për kërkim dhe inovacion.
Pas shumë diskutimeve është miratuar edhe marrëveshja e pestë ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së që quhet “Evropa kreative 2021-2027”.
Kuvendi do të vijojë me seancë në orën 14:30 për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK).