image Kuvendi mban seancë të veçantë në 31-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut

Politikë

Kuvendi mban seancë të veçantë në 31-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut

news image

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të veçantë nesër, më 2 korrik 2021, duke filluar nga ora 10:00, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo seancë do të mbahet në 31-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik 1990.

Shënimi i kësaj dite do të jetë pika e vetme e rendit të ditës.

Më 2 korrik të vitit 1990, 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese, e cila e zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anuluar me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën. 

Kështu, Deklarata e 2 Korrikut, shpalli Kosovë njësi të barabartë të Federatës Jugosllave dhe ua hapi rrugën veprimeve të mëtutjeshëm (Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, kur edhe u shpall Republika e Kosovës, Referendumit për Pavarësi të vitit 1991, si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të Kosovës të vitit 1992), me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i infrastrukturës demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës. 

Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese i botuar në “Fletorën Zyrtare” të KSAK, nr 21, më 3 korrik 1990.

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat)./Gazeta Sinjali/