Në seancën e sotme të mbajtur në Kuvendin e Kosovës më 69 vota pro kanë formuar sot Organin Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Ky proces u kritikua nga opozita të cilët nuk morën pjesë në votim, ndërsa pro votuan deputetët e mazhorancës, Listës Serbe dhe komunitetet të tjera jo shumicë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se Qeveria Kurti është bërë pjesë e një afere korruptive në OSHP me tender njëburimor.
Ai tha se e njëjta nuk ka respektuar as procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve me konkurs, derisa ironizoi edhe me qëndrimin e kryeministrit Kurti në SHBA.
“Qeveria është pjesë një afere korruptive me tender njëburimor, ky është problemi që e ka ky vend. Çka ka ndodhur sot, një orë para se të fillojë kjo pikë e rendit të ditës, qeveria online, kryeministri prej Uashingtoni, a ku është, e ka ndalë Conter Strike dhe e ka ndërruar një emër se cili do të shkojë para panelit përzgjedhës”, tha ai.
Kritik u shfaq edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili i kërkoi ekzekutivit t’i tërheq emrat për anëtarët e OSHP-së.
“Qeveria t’i tërheqë këto propozime, të shkojë me procedura të shpejta ose me konkurs. Mendoj se s’ka rrugë tjetër që të zgjidhen anëtarët dhe kandidatët që plotësojnë kriteret në organin shqyrtues të prokurimit”, deklaroi ai.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qeveria me vetëdije të plotë e ka shtyrë procesin e emërimit të bordit të OSHP-në.
“Qeveria me vetëdije të plotë e ka shtyrë procesin e emërimit të bordit në OSHP-së, për të vendosur një bord që i shkon përshtati kontraktimit të vetë qeverisë”, shtoi ai.