Me 82 vota për, tri kundër dhe një abstenim është votuar të mërkurën në mbrëmje mocioni i mosbesimit i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës Megjithatë, edhe dy ditë pas votimit të këtij mocioni, por nuk është dërguar si njoftim zyrtar tek presidenti.
KP ka tentuar të flas me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani lidhur me këtë vonesë, por ajo ka qenë e pa qasshme. Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbëri Nagavci thotë, se nuk është në dijeni.
“Është çështje administrative, për të cilën unë nuk jam në dijeni që nuk është dërguar ende”, deklaroni Nagavci.
Për këtë, profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu tha se edhe në rast se nuk i është dorëzuar ende ky njoftim zyrtar presidentit, ky i fundit ka për detyrë që t’ i ofrojë mundësinë edhe njëherë partisë së parë që të formojë qeverinë.
“Kushtetuta thotë qartë që neni 100, paragrafi 6 thotë që qeveria konsiderohet e rënë, në dorëheqje, pas suksesit të mocionit mosbesimit. Mocioni i mosbesimit është ngjarje publike që është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës me interpretim dhe transmetim direkt dhe është çështje notore, sidoqoftë presidenti e ka për detyrë pamarrë parasysh a i ka mbërri apo jo mocioni, e ka për detyrë që edhe një herë t’ia ofrojë mundësinë partisë fituese të zgjedhjeve të fundit në këtë rast, Vetëvendosjes për të marrë mandatin e saj që ta formojë një qeveri. Në qoftë se ajo mund të bëjë shumicën, atëherë brenda 15 ditëve nëse jo, ekziston edhe një afat brenda 10 ditësh në të cilin pastaj presidenti ka mundësi që t’ia besojë në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese një partie tjetër, në mënyrë që të formohet një qeveri”, deklaron ai.
E në rast se edhe brenda 10 ditëve nuk arrin as partia e dytë të formojë institucionet, Baraliu thekson se për 40 ditë presidenti duhet të shpall zgjedhje të jashtëzakonshme.
Sipas tij, është mirë që sa më shpejt të formohet qeveria e re, në mënyrë që të mos ketë vakum politik. Ai kërkoi që të ketë përgjegjësi institucionale, marrë parasysh situatën pandemike globale.
Ndryshe, ky mocion erdhi pas shkarkimit të ministrit Agim Veliu nga kryeministri në detyrë Albin Kurti. Për këtë Lidhja Demokratike e Kosovës kishte mbledhur 46 nënshkrime për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme./Gazeta Sinjali/