Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, Kushtrim Cukaj, ka dhënë dorëheqje sot nga kjo pozitë, shkruan Gazeta Sinjali.
Cukaj ka thënë se këtë dorëheqje po ia kërkon ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, për arsye objektive, që ndërlidhjen me familjen dhe shëndetin e tij.
“Më lejoni që të ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të AAPSK-ës bazuar në Ligjin Nr.O6/L-114 Për Zyrtarët Publik, Neni 62, Paragrafi (2), (4). Dhe kërkoj të lirohem nga të gjitha përgjegjësit e mija të bazuara në vendimin Nr.10/59 të datës 21.01.2021 të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës. Dorëheqja ime është me efekt të menjëhershëm, ju lutem të më aprovohet si e tillë”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Cukajt.
Kushtrim Cukaj kishte shërbyer si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimit Evropian, në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha.
Nga pozita e sekretarit në këtë ministri ai u shkarkua më 22 maj të vitit të kaluar, pasi që Komisioni Disiplinor vlerësoi se ai ka kryer “shkelje të rënda dhe të shumta të detyrave të punës gjatë ushtrimit të funksionit të tij në këtë pozitë”./Gazeta Sinjali/