Gjykata Kushtetuese ka bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë për vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Agron Beka.
Aktgjykimi i Kushtetuese konstaton se Kuvendi përmes vendimit të kontestuar, nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore në shkarkimin e Bekës.
“Në rrethana të tilla, në të cilat, Kuvendi ka ushtruar rolin e tij ndërlidhur me anëtarët jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial, dhe ka shkarkuar një anëtarë jo-prokuror bazuar në procedurën dhe bazat e shkarkimit sipas përcaktimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial, përfshirë mbi bazën e një arsyetimi që nuk rezulton të jetë dukshëm arbitrar, Aktgjykimi konstaton se Kuvendi përmes Vendimit të kontestuar, nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore në kontekst të paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafit 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës”, thuhet në vendim.
Në dhjetor të vitit të kaluar, deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë, vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Agron Beka.
Deputetët e pushtetit, shkarkuan Agron Bekën nga pozita e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Pas shkarkimit të Bekës, kishte reaguar edhe KPK-ja, duke paralajmëruar kontestim të vendimit përmes mekanizmave ligjor.