image Kush me kë, partitë kanë edhe pak kohë për të vendosur

Kosovë

Koalicionet/ Kush me kë, partitë kanë edhe pak kohë për të vendosur

news image

Derisa kanë mbetur edhe me pak se 9 orë deri në përfundimin e afatit për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partitë politike kanë shtuar aktivitetin e tyre për lidhjen në mes vete. Ndërkohë që disa nga partitë veçse kanë bërë koalicione, vëmendjen kryesore e ka diskutimi intenziv mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për lidhjen e një koalicioni të mundshëm parazgjedhor. Por gjasat për këtë sa vijnë e zbehen, pasi që partia e Isa Mustafës dhe ajo e Albin Kurtit, janë barrikaduar tek pozita e kryeministrit të vendit. Se kush më kë do të bëjë koalicion parazgjedhor mbetet të shihet, në fund të ditës së sotme, kur edhe përfundon fati ligjor për deklarimin e koalicioneve.

Gazeta SINJALI

Orët e ardhshme të ditës së sotme do të jenë dinamike e me zhvillime dramatike për subjektet politike në vend. Të gjithë ata që duan të lidhin koalicon parazgjedhor për zgjedhjet e 6 tetorit, nuk kanë edhe shumë kohë për ta deklaruar atë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Mesnata e sontme shënon fundin e afatit ligjor, kur duhet të deklarohen koalicionet parazgjedhore.

Në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, deri tani asnjë subjekt politik nuk e ka deklaruar koalicionin, ndonëse janë nënshkruar disa sosh, siç është ai AAK-PSD dhe ai Nisma-AKR-PD. Ndonëse gjatë javës u raportua se koalicioni Nisma-AKR dhe PD e kanë gati koalicionin për ta dorëzuar në KQZ, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Këtë e pohon edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili në një përgjigje për gazetën Sinjali ka thënë se asnjë koalicion nuk ka aplikuar deri tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë deklarim të partive politike për Koalicion. Ashtu siç kemi njoftuar, ky afat përmbyllet sonte, në orën 24:00”, ka thënë Elezi.

Si rëndom, edhe kësaj radhe partitë politike lënë momentet e fundit që të deklarojnë koalicionet e tyre në KQZ, duke krijuar kështu huti te opinioni se cfarë mund të ndodhë.

Nënkryetari i AAK-së Muharrem Nitaj, tha se ata tashmë e kanë një koalicion parazgjedhor dhe se atë do ta dorëzojnë shpejt në KQZ. Në një përgjigje për gazetën Sinjali, rreth mundësisë së zgjerimit të koalicionit AAK-PSD, Nitaj tha se me partitë e mëdha politike LDK, LVV dhe PDK nuk ka as diskutime për bashkangjitje në koalicion, por janë të hapur për të tjerët.

“Sa u përket partive të mëdha parlamentare ne si koalicion AAK-PSD, koalicion fitues i këtyre zgjedhjeve, i kemi përfunduar punët, s`kemi as diskutime për ndonjë koalicion parazgjehdor. Vazhdojmë të jemi të hapur për koalicion me partitë e vogla, përfshirë edhe Nismën Socialdemokrate, bashkë me të cilën janë edhe AKR dhe PD”, ka thënë Nitaj.

Por gjasat për të ndodhur bashkimi i koalicionit AAK-PSD me atë Nisma-AKR-PD, janë të vogla, pasi që Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, si partia më e madhe e kolicionit NAP, duket që e ka ndarë mendjen për koalicion parazgjedhor.

Anëtarja e kryesisë se kësaj partie Albulena Balaj-Halimaj, tha për Sinjalin se koalicion parazgjedhor mund të ndodhë vetëm me partitë e vogla, përkatësisht dy parti të vogla të cilat presin që t’u bashkohen sot.

“Për dorëzimin e koalicionit tonë parazgjedhor në KQZ, do ta presim orën 24:00, pasi që aktualisht jemi në bisedime me dy parti të vogla të cilat presim që të na bashkohen sot gjatë ditës. Sa u përket partive të mëdha për koalicione, përfshirë edhe koalicionin AAK-PSD, tashmë këtë cështje e kemi shpallur të mbyllur, i presim vetëm partitë e vogla, edhe pse kryesia e Nismës mund të vendos ndryshe”, ka thënë ish-deputetja e Nismës Socialdemokrate Albulena Balaj-Halimja.

Balaj-Halimaj, nuk e ka mohuar mundësinë që njëra nga këto parti të vogla është Lëvizja për Bashkim. Por këtë e ka mohuar kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, i cili në një përgjigje për Sinjalin ka thënë se janë në negociata me koalicionin Nisma-AKR-PD dhe me Partinë Demokratike të Kosovës por më afër janë për lidhjen e një koalicioni parazgjedhor me PDK-në.

“Ne jemi ne negociata me te dyjat edhe me koalicionin Nisma-AKR-PD por edhe me Partinë Demokratike të Kosovës. Ende nuk kemi vendosur se me kënd do të shkojmë në koalicion parazgjedhor, por për hir të së vërtetës më afër jemi me PDK-në, ndonëse një gjë e tillë ende nuk është zyrtarizuar”, ka thënë Murati për Sinjalin.

Ndryshe partitë e vogla si: Partia e Drejtësisë, Lëvizja për Bashkim, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Partia Konservatore e Kosovës, Alternativa Demokratike e Kosovës, Republikanët e Kosovës, Partia e Ballit Partia Socialdemokrate, Balli Kombëtar i Kosovës, tradicionalisht në zgjedhje kanë shkuar në koalicion parazgjedhor me Partinë Dmeokratike të Kosovës./Sinjali/