image Kush janë vëllezërit Bytyqi që u rrahën te lokali ‘Skenderbeu’ në Prizren?

Ekskluzive

Kush janë vëllezërit Bytyqi që u rrahën te lokali ‘Skenderbeu’ në Prizren?

news image

Incidentet te lokalet e ndryshme, sidomos ato që frekuentohen edhe pas mesnate janë goxha të shpeshta në Kosovë. Kërcënime, përleshje e konflikte të tjera janë vetëm disa nga rastet që ndodhin, por jo gjithmonë denoncohen në Polici. Kështu ka ndodhur në fillim të këtij muaji, te një restorant në Prizren, ku një person u sulmua dhe organet e rendit nuk u njoftuan, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive dhe ka mësuar se rasti ka ndodhur te dera e restorantit me muzikë live ‘Skenderbeu’ në Prizren, më 2 nëntor.

Sipas sinjalizuesve të Gazetës Sinjali, një grup prej disa personave fillimisht kanë pasur një konflikt verbal me viktimën, që dyshohet se ka nisur brenda restorantit dhe më pas ka vazhduar jashtë.

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se viktimë e këtij rasti është Avni Bytyqi.

Në pamjet që posedon redaksia, shihen disa persona teksa dalin nga restoranti dhe tre prej tyre afrohen te viktima Avni Bytyqi, vazhdojnë fjalosjen teksa në një moment, njëri papritmas e godet, e rrëzon përtokë dhe vazhdon ta sulmojë.

Sulmi ka ndodhur pas orës 22:00 dhe personat që shihen në pamje nuk ndërhyjnë për ta ndaluar të dyshuarin, por vetëm vëzhgojnë teksa e rrah. 

Pas këtij momenti ka ndërhyrë vëllai i Avniut, Ilirjani, i cili sipas pamjeve ekskluzive që ka siguruar Gazeta Sinjali, shkon ta ndihmojë atë.

Por, gjithmonë siç shihet në pamjet – përfundon i rrahur edhe ai.

Kush janë vëllezërit Bytyqi që u rrahën te lokali ‘Skenderbeu’ në Prizren?

Avniu dhe Ilirjani edhe më parë ishin përfshirë në një rast të rrahjes, por atëherë nuk ishin viktima të ngjarjes, por iniciues të saj.

Për rastin kishte raportuar Gazeta Sinjali në dhjetor të 2020-ës.

Vëllezërit Bytyqi bashkë me tre të tjerë ishin rrahur me njëri-tjetrin, në dhejtor të 2020-ës, në restorantin “Oda” dhe për pasojë ishin arrestuar nga Policia. 

Gazeta Sinjali kishte raportuar për këtë rast ku fillimisht informacionet ishin se vëllezërit ishin viktima, por pas nisjes së hetimeve, hetuesit policorë e zbuluan se dy vëllezërit Bytyqi ishin të dyshuar për këtë rast të rrahjes.

Por çfarë dihet për përleshjen në Barbon?

Ilirjan Bytyqi, duke qenë në pozitën e punëtorit të sigurimit në lokalin “Barbon” në Prizren më 19 nëntor 2020 dyshohet se kishte sulmuar brutalisht dy vajza, kliente të kësaj kafeterie. Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 22:00, në lokalin Barbon, ku dy vajzat, njëra prej të cilave ishte përfshirë në përleshje, kanë pasur një mosmarrëveshje me punëtorin e dyshuar, konflikt ky që eskaloi në sulm fizik dhe për pasojë njëra prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Siç shkruante Gazeta Sinjali nga të njëjtat burime, njëra nga vajzat e dyshuara e kishte goditur me gotë Bytyqin, me të cilin paraprakisht u kapën. Aty situata vetëm sa eskaloi dhe Bytyqi pa një pa dy iu ishte kthyer me sulm, duke i goditur aq keq klientet, deri në atë pikë sa njërën prej tyre e ka tërhequr zvarrë nëpër lokal.

Si pasojë e goditjeve dhe rrahjes brutale, viktima ka pësuar frakturë në hundë, për çka ishte dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit për të marrë trajtim mjekësor.

/GazetaSinjali/