Qerim Kelmendi ishte anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dega brenda Kosovës dhe së bashku me vëllain e tij, Ibrahimin ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në fillimet e saj.
Madje, Qerimi kishte thënë se ishte plagosur në gusht vitit 1996, duke qenë kështu i plagosuri i parë i UÇK-së.
Qerim dhe Ibrahim Kelmendi ishin akuzuar për vrasjet e pasluftës në Kosovë, nga dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti, i cili ka qenë pjesë e një grupi kriminal që kreu këto vrasje.
Sipas Mehmetit, vëllezërit Kelmendi kanë urdhëruar vrasjen e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Smail Hajdaraj dhe vrasjen e Tahir Zemajt.
Dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale kishte thënë po ashtu se Qerim Kelmendi dhe vëllai i tij, Ibrahimi, kishin ngarkuar Florim Ejupin me detyrë për vrasjen e Xhavit Halitit, ish-deputet i PDK-së – por se plani për vrasjen e tij ka ngecur.
Këto akuza Qerim Kelmendi i kishte quajtur telenovela.
“Telenovela që po tjerret qe 10 vite! E paska zbulue Makinën me Avull!”, kishte thënë Qerimi.
Qerim Kelmendi u vra pak pas mesnatës me breshëri automatiku dhe trupi i tij u gjetë totalisht i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Pejës.
Se trupi i djegur është i Qerim Kelmendit, për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe nipi i Qerimit, Ali Kelmendi./Gazeta Sinjali/