image Kush është Olsian Çela, kryeprokurori i ri i Shqipërisë?

Drejtësi

Profili/ Kush është Olsian Çela, kryeprokurori i ri i Shqipërisë?

news image

Olsian Çela është betuar sot si kryeprokuror i vendit, pasi kuvendi  miratoi kandidaturën e tij me 101 vota pro.

Çela renditej i pari edhe në listën e KLP pasi arriti të sigurojë më shumë pikë, gjatë procesit të marrjes në pyetje.

Që prej fillimit ai u përfol si kandidati favorit. Në paraqitjen gjatë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, teksa prezantoi vizionin përballë anëtarëve të Këshillit deklaratat e tij nuk kaluan pa vëmendje.

I fortë ishte momenti kur Çela përmendi avokatë në Shqipëri, (pa emra konkretë) për të cilët tha se  firmën e hedhin atje ku u kërkohet, e jo aty ku duhet.

Tjetër deklaratë e fortë e tij kur nënvizoi se prokurorët kanë aplikuar gjithnjë masa penale të ashpra, por sidomos me shtresat më të dobëta të shoqërisë.

“Avokatët shpesh s’janë avokatë, vendosin firma aty ku u thuhet të firmosin.

Këto masat e sigurimit që ne japim vend e pavend e mendojmë cfarë pasojash shkaktojnë te familjet e atyre që izolohen? A ka qenë e nevojshme vërtet që prokurori në çdo rast të shkojë të kërkojë masa ekstreme? A e kemi menduar që ai personi që kërkohet një masë ekstreme ka një familje, fëmijë, punë? Duke qenë të ashpër, dhe me vjen keq ta them, kemi qenë të ashpër me shtresat e dobëta, ne thellojmë problemet sociale e duke bërë këtë përgatisim breza të rinj që janë në rrugë sot e nesër janë fidanishtet e krimit”, deklaronte Çela.

Karriera

Olsian Çela e nisi karrierën në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës.

Pas tre vitesh në Prokurorinë e Tiranës, Çela u emërua te Krimet e Rënda.

Dosjet e bujshme që mori në dorëzim fillojnë nga ajo e  “Xibrakës”, ku la në burg Ermal Hoxhën dhe tetë anëtarët e tjerë të grupit, çështjen “Kompas”, që la në burg 32 trafikatë që përdornin prostitutat si korriere, vrasjen e “Mirit të Xhikes” për të cilën u dënua si bashkëpunëtor Lavdërim Tufa.

Çela ka pasur një përplasje edhe me rivalen e tij, Arta Markun, për çështjen Shullazi.

Ai refuzoi të merrte në dorë dosjen “Shullazi”, pas tërheqjes për arsye shëndetësore të prokurorit Ened Nakuçi.

Pas përplasjes me drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prelën, Marku e transferoi Çelën në Berat.

Por pas ankimimit, KLP e riktheu sërish te Krimet e Rënda.

Olsian Çela është gjithashtu njohës i 4 gjuhëve huaja.