Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka nxitur një debat në gjithë hapësirat diplomatike pasi që gjatë një takimi në Bled të Sllovenisë e ka përmendur prejardhjen serbe të gruas së Matthew Palmer, i cili para pak ditësh është emëruar i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Teksa ka folur në panel, Daçiq ka thënë se e njeh Palmerin prej disa vitesh por ka shtuar se “nuk pret asgjë nga ai”.
“Unë pres shumë nga gruaja e tij, që është nga ana jonë. Unë nuk e di nëse është nga Serbia, por është nga rajoni jonë. Dhe tek ne thonë “nga është gruaja juaj, jeni edhe ju”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe.
Por kush është gruaja misterioze e Matthew Palmer për të cilën flet kaq shumë Ivica Daçiq? Matthew Palmer para disa vitesh kishte treguar se si ishte njoftuar me gruan e tij, Danica Palmer, për të cilën ‘telegraf.rs’, shkruan se ka lindur në Beograd. Siç shkruan gazeta serbe, ata ishin njoftuar para disa vitesh kur Palmer punonte si këshilltar politik në Ambasadën e SHBA në Beograd.
Një gjë të tillë Palmer e kishte zbuluar në një intervistë për mediat malazeze duke treguar se ishte takuar me Danica Damjanovic në Beograd, e më pas edhe është martuar me të. “E kam takuar gruan time Danica, ish-Damjanoviq në Beograd disa vite më herët. Edhe pse Danica ka lindur në Beorad, familja Damjanoviq i ka rrënjët në Mal të Zi. Ne kemi një shtëpi në ‘Dobri Voda’, ku e kalojmë shumicën e kohës gjatë verës”, kishte thënë Palmer në vitin 2014 i pyetur nga ‘Vjesti’.
Danica Palmer ka gradën doktore dhe është diplomuar në Universitetin e Beogradit për Shëndetësi, profesion të cilin e ushtron për më shumë se 20 vjet. Gruaja e Matthew Palmer flet gjuhën serbe, kroate dhe spanjolle. Në fund, mediumi serb thekson faktin se është e pamundur që të gjendet një fotografi e saj në internet.