image Pistat e hetimit për vrasjen e ish-deputetit Pashko Ujka, çfarë zbuluan kamerat - Sinjali

Pistat e hetimit për vrasjen e ish-deputetit Pashko Ujka, çfarë zbuluan kamerat

news image

Grupi hetimor i cili po heton vrasjen e ish-deputetit Pashko Ujka, ngjarje e cila ka ndodhur në mbrëmjen e 29 nëntorit, në Shkodër, duket se është shumë larg arritjes së konkluzioneve dhe ngritjes së pistës kryesore të hetimit.

Hetimet fillimisht u përqendruan tek e shkuara politike si deputet dhe kryetar komune, por nuk ka rezultuar e suksesshme si pistë në gjetjen e ndonjë gjurme për të arritur tek autorët. Gjithashtu pista e ngritur e konflikteve të mundshme dhe problemi që mund të ketë pasur i biri i tij me persona të ndryshëm kanë rënë poshtë.

Janë marrë në pyetje familjarët e Pashko Ujkës të cilët mësohet se kanë deklaruar se i ndjeri nuk ka pasur asnjë konflikt me askënd, ndërsa në lidhje me biznesin e tij rezulton të mos ketë probleme me borxhet apo konflikte tjera.

Nga administrimi i kamerave të sigurisë së asaj nate, shihen lëvizje të njerëzve, ndërsa ende nuk është e qartë nëse në këtë vrasje kanë marrë pjesë 1 apo 2 persona, pasi një nga kamerat e bizneseve të administruara ka arritur të kapë dy persona me të zeza që lëvizin me shpejtësi në drejtim të zonës së Universitetit. Nuk dihet nëse personat lëvizin me shpejtësi për shkak të vrasjes së kryer apo shiut që në ato momente po binte.

Një fakt tjetër interesant është se zona kishte defekt në furnizimin me energji elektrike të rrugës dhe të parkut, për shkak të motit dhe shkarkesave atmosferike, çka ka detyruar grupin hetimor të bëjë sekuestrimin e kamerave në një hapësirë të gjerë, të bizneseve por edhe objekteve të ndryshme për të parë nëse ka lëvizje të dyshimta.  Madje po bëhet administrimi i kamerave dhe pamjeve të regjistruara në 10 ditët e fundit, të zonës së bizneseve rreth parkut të institutit siç njihet në Shkodër ku edhe ka ndodhur vrasja.

Deri tani nuk është arritur të administrohet asnjë provë konkrete që të çon drejtë pistës konkrete që të bëjë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Përveç të afërmve janë marrë në pyetje edhe bashkëpunëtorë dhe persona që kanë pasë të bëjnë me ish-deputetin nëse janë në dijeni për ndonjë konflikt apo probleme tjera. Grupi hetimor, nuk ka arritur të ngrejë një pistë konkrete, rreth shkaqeve të vrasjes.

Të vetmen provë që ka grupi hetimor është se vrasja është kryer nga një ose më shumë profesionistë, që e kanë qëlluar pas shpine dhe pavarësisht se në zonë kishte lëvizje njerëz, autori ka qenë i favorizuar nga moti me reshje të dendura shiu dhe mungesës së ndriçimit publik në zonë.

Edhe kjo vrasje vështirë do zbardhet pasi pistat janë të pakta ndërsa vetë viktima kishte rreth 5 ditë që kishte ardhur nga Italia ku ndodhej për kurime për shkak të shëndetit të dobësuar kohët e fundit.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin