Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se s’mund të jap afate kohore për heqjen e barrikadave në katër komunat veriore. Ajo vlerëson se Serbia me vendosjen e tyre ka synimin parandalimin e arritjes së marrëveshjes finale me Kosovën.
“Të gjitha ngjarjet që lidhen me vendosjen e barrikadave synim kanë parandalimin e arritjes së marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, që tregon se në momentin kur dialogu është kthyer në binarë të diskutimit mbi parimet dhe procesin i cili ka në qendër njohjen e ndërsjellët ka filluar rezistenca dhe bojkoti i dukshëm tashmë për të gjithë nga ana e Serbisë”, tha Kusari.
Më tej shefja e GP LVV, tha se barrikadat janë në ngjarje në vazhdim dhe janë organet kompetente të cilat merren me të prej ekzekutivit, organeve të sigurisë dhe pastaj trupat e KFOR-it dhe EULEX-it që janë duke bashkërenduar aktivitetin.
Ajo theksoi se barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe për këtë pos institucioneve vendore janë angazhuar edhe ato të bashkësisë ndërkombëtare.
“Duhet një kujdes i shtuar dhe i veçantë për faktin se ngjarjet të cilat po ndodhin në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës po provokohen drejtpërdrejt nga Serbia për destabilitet. Nuk isha lëshu në detaje për vënë afate dhe kohë, ato [ barrikadat] duhet të largohen sa më parë dhe është qëndrim i pakontestueshëm edhe i bashkësisë ndërkombëtare në dhe jashtë Kosovës. Situatë e tillë s’i konvenon askujt përveç atyre që kërkojnë destabilitet në Kosovë” tha Kusari.