image Kusari-Lila reagon pas protestave në Jarinje: Serbia nuk do të kthehet kurrë në Kosovë

Politikë

Kusari-Lila reagon pas protestave në Jarinje: Serbia nuk do të kthehet kurrë në Kosovë

news image

Shefja e Grupit Parlametar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me anë të një postimi në Twitter, ka thënë se mendjet e errëta mesjetare me synime ekspansioniste i përkasin të kaluarës.

“Lutuni Zotit dhe mbahuni te Rusia” shkruhet në sloganin e protestuesve serbë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Ata brohorisnin parulla shoviniste dhe çetnike. Mendjet e errëta mesjetare me synime ekspansioniste, i përkasin të shkuarës. Serbia nuk do të kthehet kurrë në Kosovë”, shkroi ajo.

mimoza 3

Ky postim vjen pas protestës në anën serbe afër Jarinjës – pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, si shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që kanë ngritur serbët lokalë në veri të Kosovës.

Protestuesit janë shpërndarë pasi Policia serbe u ka thënë se do të lirojë një person që ka arrestuar në protestë.

Organizatorët e protestës kanë thënë se serbët në veri të Kosovës janë “nën presion të madh” dhe që e kanë pasur të ndaluar që t’i bashkohen protestës së 18 dhjetorit.

Ky grup e ka organizuar protestën dhe u ka bërë thirrje mbështetësve nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Serbe e Bosnjë – Hercegovinës, që t’iu bashkohen në afërsi të Jarinjës.

Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.

Komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – janë të banuara me shumicë serbe.

/GazetaSinjali/