image ​Kusari-Lila për situatën në veri: Vuçiq kërkon të zhvendosë vëmendjen nga plani franko-gjerman

Politikë

​Kusari-Lila për situatën në veri: Vuçiq kërkon të zhvendosë vëmendjen nga plani franko-gjerman

news image

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se bllokimi i rrugëve në veri është lojë e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për të zhvendosur vëmendjen nga zbatimi i planit franko-gjerman për dialogun.

Ajo thotë se me tensionet në katër komunat veriore, Serbia haptazi po shpërfaq ambiciet territoriale ndaj Kosovës, madje edhe përmes një konflikti tjetër të mundshëm.

Rrethanat e fundit në veri, sipas Kusari-Lilës, ia kanë hequr edhe maskën e fundit Vuçiqit karshi BE-së dhe ShBA-së për qëllimet dhe pretendimet e tij destruktive në dialog me Kosovën.

“Pretendimet territoriale dhe synimet për konflikt tjetër të mundshëm të Aleksandër Vuçiqit për Kosovën. Tash edhe zyrtarisht ata kanë deklaruar dhe konfirmuar se do të kërkojnë të sjellin trupat e tyre në Kosovë, duke ditur se tashmë në dekadën e fundit kanë afruar baza ushtarake afër kufirit me Kosovën. Ka pasur vazhdimisht patrullime, deri tek edhe paraqitja e ambasadorit rus në kufi me Kosovën. Kjo nuk është se nuk është ditur apo parë, por nuk është thënë publikisht. Tash këto rrethanat e fundit kanë hequr edhe maskën e fundit të Vuqiq karshi BE-së, ShBA-së për qëllimet dhe pretendimet e tij destruktive në dëm të Kosovës, madje edhe komunitetit serb në Kosovë”, shton Kusari-Lila.

Ajo thekson se plani franko-gjerman për dialogun synon normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Më e rëndësishmja është që synohet normalizim i plotë i raporteve që të hiqen të gjitha pengesat aktuale që janë për Kosovën në rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar. Njohjen nga vendet jo njohëse dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, thotë ajo.

Sa i përket kërkesave të vazhdueshme të aleatëve ndërkombëtarë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kusari-Lila thotë se për këtë temë duhet trajtim i mirëfilltë dhe përmbajtjesor.

“Këtu duhet të kemi një trajtim të mirëfilltë dhe përmbajtjesor. Në vazhdimësi me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe përfaqësues të tjerë kur kemi diskutuar këtë kërkesë, kemi thënë se më shumë se sa të diskutohet për një formë siç po diskutohet për asociacionin, sikur të ishte diçka abstrakte. Më mirë është të diskutohet mbi përmbajtjen e saj… Në situatën aktuale, ajo çka është e rëndësishme se ato të drejtat që ia kanë t’i shfrytëzojnë. Gjegjësisht të jenë pjesëmarrës aktivë në jetën institucionale dhe politike, gradualisht të fokusohemi aty se si mbi vlerat e përbashkëta dhe shtetin multietnik të avancojmë vendin. Jo mbi krijimin e mekanizmave që do të tregojnë monoetnicitet siç është rasti me vet emërtimin asociacioni i komunave serbe”, përfundon ajo.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitavës së tij në Prishtinë dhe Beograd deklaroi se duhet të fillohet të bisedohet për çështjen e asociacionit, ndërsa u shpreh kategorik kundër kërkesës së Serbisë për dërgimin e trupave policore e ushtarake në veri./Kosovapress/.

/GazetaSinjali/