Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e ka kundërshtuar fuqishëm kërkesën e opozitën për themelimin e Komisionit Hetimor për hetimin e procedurave të menaxhimit të rezervave shtetërore.
Kusari-Lila në Kuvendin e Kosovës ka akuzuar deputetët se po duan të bëhen hetues dhe se nuk po i besojnë Prokurorisë.
“Me datën 5 shtator GP i LDK-së ka ndërmarrë një hap, që është hap i ngutshëm sipas VV-së, duke dorëzuar në Kuvend kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor për rhetimin e procedurave të rezervave shtetërore. Disa muaj më herët, në foltore, e në medium, janë përmendur dyshimet se mund të ketë keqpërdorime me rezervat. Dyshime për të cilat ka reaguar prokuroria, në gushtë në mënyrë spektakulare ka arrestuar dy persona në MINT”, tha ajo.
Tutje, Kusari-Lila u shpreh si vijon: “Pyetje për deputetët, a nuk po i besoni Prokurorisë?”
Veç kësaj, shefja e deputetëve të pushtetit, ka pretenduar se ky komision, do të krijojë skena dhe “show” mediatik, pasi sipas saj, hetuesit po merren me këtë çështje.
“Kjo kërkesë nuk ka kuptim, opozita ka dalë në mbrojtje të Prokurorisë, aktualisht po tregojnë mosbesim ndaj punës së tyre. Mendojnë që përfaqësuesit e Kuvendit mund të jenë hetues më të mirë, se sa organet e rendit. Më duhet t’i kthehem përvojës nga Komisioni Parlamentar për Menaxhimin e Pandemisë ku ka pasur dëshmitarë që nuk janë përgjigjur. Prandaj, do të përfundojmë me komision hetimor që synon të krijojë skena interesante, të krijojë show mediatik, të shpenzojë paranë publike, t’i kthejë deputetët në hetues, përderisa hetuesit janë duke u marrë me çështje.” – tha ajo.