Kryeministri i sapozgjedhur, Albin Kurti, sot e ka pranuar zyrtarisht detyrën e shefit të qeverisë nga zëvendëskryeministri i deritashëm, Behgjet Pacolli.
Do të duhej që kryeministri i deritashëm, Ramush Haradinaj t’ia dorëzonte detyrën e re Kurtit, por ai ndodhet në SHBA. Megjithatë, kreu i LVV-së tha se mbrëmë ka biseduar në telefon me të, shkruan Gazeta Sinjali.
I pari i qeverisë tha se pasi Haradinaj të kthehet në Kosovë, me siguri do të takohet me të.
“Mbrëmë kam biseduar me ish-kryeministrin Haradinaj dhe më njoftoi se ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të kthehet në fundjavë dhe më pastaj me siguri se do të takohem edhe me të”, tha Kurti.
Me rastin e pranim-dorëzimit të detyrës, zëvendëskryeministri i deritashëm, Behgjet Pacolli i ka uruar Kurtit suksese në detyrën e re, shëndet dhe kënaqësi shpirtërore. /Gazeta Sinjali/