image Kurti: Vuçiq të heqë dorë nga mohimi i masakrës së Reçakut

Politikë

Kurti: Vuçiq të heqë dorë nga mohimi i masakrës së Reçakut

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e vetmja zgjidhje për të pasur paqe të qëndrueshme dhe siguri afatgjate në rajon të Ballkanit Perëndimor, është që Serbia të ndryshojë qëndrimin karshi Kosovës.

I pari i qeverisë deklaroi para gazetarëve se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bën mirë të orientohet drejt një introspeksioni të shoqërisë dhe të shtetit atje, lidhur me krimet e kryera në Kosovë.

Kurti mes tjerash tha se Vuçiqi duhet të heqë dorë nga mohimi i masakrës së Reçakut, shkruan Gazeta Sinjali.

“Vuçiqi bën mirë që të orientohet drejt një introspeksioni të shoqërisë dhe të shtetit atje, lidhur me krimet e kryera në Kosovë, të heqë dorë nga mohimi i masakrës së Reçakut, siç bëri vitin e kaluar që përveç që s’po e pranojnë Pavarësinë e Kosovës po i mohojnë edhe krimet e regjimit të Millosheviqit”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti poashtu theksoi se me Republikën e Shqipërisë marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe njoftoi se mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare, pritet të mbahet pas dy javëve, si vazhdimësi e asaj të mbajtur më 26 nëntor të vitit të kaluar.

/GazetaSinjali/