Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot familjen Jashari në Skenderaj, ku ka shprehur ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të Sahit Jasharit.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti ka qëndruar për ngushëllime në familje, duke iu shprehur respekt dhe solidaritet familjarëve, miqve dhe bashkëluftëtarëve të të ndjerit.
Gjatë vizitës, ai ka vlerësuar lartë kontributin e Sahit Jasharit, duke e cilësuar atë si një bashkëveprimtar të hershëm të UÇK-së dhe pjesëmarrës aktiv në periudhën para dhe gjatë luftës çlirimtare.
“Sahit Jashari ishte bashkëveprimtar i Kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari, luftëtar edhe para luftës, që kontribuoi me pushkë dhe organizim për çlirimin e vendit”, thuhet në mesazhin e Kurtit të publikuar në librin e kujtimeve.
Në njoftim theksohet gjithashtu se ai ka shprehur respekt për qëndrimet e tij patriotike dhe për angazhimin e tij në shërbim të vendit.
Familja Jashari ka pritur vizita ngushëllimi nga personalitete të ndryshme, ndërsa ceremonia e homazheve po vazhdon në Skenderaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!