image Kurti vazhdon të merret me Shqipërinë, kërkon të lehtësohet votimi i mërgatës në zgjedhjet e 25 prillit

Politikë

Kurti vazhdon të merret me Shqipërinë, kërkon të lehtësohet votimi i mërgatës në zgjedhjet e 25 prillit

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, si dhe disa përfaqësues të diasporës shqiptare në Itali.

Gjatë këtij takimi, Kurti ka bërë thirrje që bashkatdhetarët t’u lehtësohet procesi i votimit për vendlindje.

Për t’u arritur një gjë e tillë, kryeministri i Kosovës ka propozuar që Qeveria e Shqipërisë të realizojë fushata informuese e ndërgjegjësuese, që votimi të bëhet përmes postës, online ose në ambasada e konsullata të Shqipërisë në botë.

“Duhet të kemi të garantuar dhe të realizuar të drejtën e bashkatdhetarët tanë për të votuar në shtetin amë. Kjo e drejtë kushtetuese duhet të realizohet përmes votimit me postë, elektronik apo pranë përfaqësive diplomatike. Duhet të krijohet infrastruktura me të cilën do të garantohet vota e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, si dhe mënyra e sigurimit të kësaj vote. Institucionet e shtetit, në veçanti qeveria, të ketë fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese”, ka thënë ai.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje ka shpallur kandidaturat e tre kandidatëve të saj për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani.

Tash e disa ditë kryeministri Kurti, ministrat e qeverisë së tij dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë angazhuar në fushatën për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, dikush online e dikush fizikisht, duke shpërndarë broshura e duke u takuar me qytetarë.

Ky angazhim i LVV ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, si nga opozita, ashtu edhe nga qytetarët, të cilët kërkojnë që Qeveria Kurti të përkushtohet në zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballet vendi për shkak të pandemisë dhe në sigurimin e vaksinës antiCOVID./Gazeta Sinjali/