image Kurti thotë se nuk duhet heroizuar Faton Hajrizi, kërkon hetim ndërkombëtar

Politikë

Kurti thotë se nuk duhet heroizuar Faton Hajrizi, kërkon hetim ndërkombëtar

news image

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka folur sërish për vrasjen në Serbi të Faton Hajrizit, i cili ishte arratisur nga burgu në Kosovë, ku po mbahej për disa vepra të ndryshme penale.

Kurti ka deklaruar se pas krahasimit të gishtrinjve, është vërtetuar se qytetari i vrarë është Hajrizi.

“Ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme në lidhje me rastin e shtetasit Faton Hajrizi, institucionet tona janë përpjekur të transmetojnë informata zyrtare. Përmes MPJD-së, jemi informuar nga drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar, se autoritetet serbe me datë 22 korrik 2024 kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi. Të njëjtat shenja bashkë me shenjat e qytetarit Faton Hajrizi janë përcjellur në forenzikë, pas krahasimit drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë. MPB-ja dhe Policia e Kosovës kanë përcjellur me vëmendje secilën hollësi, MD dhe MPJD janë angazhuar dhe kanë informuar” – ka thënë Kurti.

Tutje, Kurti vlerësoi se nuk duhet heroiziuar Hajrizi.

“Megjithëkëtë, sqarimi i rrethanave që nga ikja në drejtim të Serbisë e deri te vrasja e tij kërkon hetim vendor e ndërkombëtar. I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizmit të Faton Hajrizit. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku i vrarë në Banjskë. Patriot janë 23 pjesëtarë të Policisë të rënë në krye të detyrës. Pikërisht këtë javë, 26 korrikun e shënojmë si ditë memorialë të policëve të rënë në kryerjen e detyrës.

Edhe sot si çdo ditë e çdo mot, përsëris thirrjen te organet përgjegjëse për zbardhjen e gjitha këtyre rasteve. Sot janë bërë fiks 10 muaj nga vrasja e Afrim Bunjakut në Banjskë. Në mbrojtje të ligjshmërisë së vendit. Në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuza ndaj Milan Radoiçiqit dhe terroristëve të tjerë nga ana e sistemit tonë të drejtësisë. Në Serbi Radoiçiqi është i lirë. Prokurorisë tonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj, por nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren e drejtësisë për njëpostim në facebook. Të rënëve iu takon lavdia e përjetshme, mbi të gjallët e institucionet peshon rëndë përgjegjësia për zhvillim”, ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/