Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zhvilluar të enjten një drekë pune të përbashkët me ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen, ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund, ambasadoren e Holandës, Karin Boven, ambasadorin e Belgjikës, Grégoire Cuvelier dhe shefin e misionit në Ambasadën e Luksemburgut, Eric Dietz.
Në takim thuhet se është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në vend.
“Diskutuan bashkë rreth zhvillimeve të fundit në vend, përfshirë procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë, dhe tema tjera me interes në kuadër të komunikimeve dhe shkëmbimeve të rregullta ndërmjet Qeverisë dhe shteteve partnere”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në njoftim thuhet se Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij për raportet e mira dhe për mbështetjen e vazhdueshme të këtyre shteteve ndaj Kosovës, siç thuhet, sidomos në proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Takimi thuhet se është zhvilluar pas ftesës së ambasadorit të Finlandës në Kosovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!