image Kurti: Shteti t'i mbrojë të pandehurit te Specialja, UÇK-ja ishte e të gjithëve

Politikë

Kurti: Shteti t’i mbrojë të pandehurit te Specialja, UÇK-ja ishte e të gjithëve

news image

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka folur rreth paraqitjes së Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit teksa ka shtuar se duhet bashkërendim i të gjithëve për t’i mbrojtur ata sepse UÇK-ja ishte e të gjithëve, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai tha se pretendimet e Prokurorisë së Speciales se në UÇK pati ndërmarrje të përbashkët kriminale janë të pavërteta.

“Në javën që lamë pas në Hagë në atë Gjykatë u paraqitën dhe thanë fjalët e tyre, Krasniqi, Thaçi, Veseli dhe Selimi. Ne kemi folur gjerë e gjatë për Gjykatën Speciale në këto 7 vitet e fundit dhe nuk ka nevojë të përsëriten.

Kosova ka pasur vazhdimisht Gjykata Speciale, njëherë UNMIK-un, Tribunalin e Hagës pastaj EULEX-in. Gjykata në Hagë është më speciale, jo çmimin e lirisë por çmimin e gabimeve politike jemi duke e paguar.

UÇK është lënë jashtë deklaratës së pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës. Kjo Gjykatë u pranua të bëhet pjesë përbërëse e Kosovës, sigurisht që Gjykata Speciale e padrejtë dhe e njëanshme në raport me UÇK dhe me etninë tonë shqiptare si përkatësi.

Në veçanti sot po ndalem në dy elemente të aktakuzës kundër tyre.

Ajo çfarë pretendon prokuroria është se në UÇK ka ekzistuar një grup kriminal brenda, si ndërmarrje e përbashkët kriminale, thua se kemi pasur edhe UÇK edhe NPK, Prokuroria e ka gabim, nuk ka pasur strukturë të tillë paralele kriminale.

UÇK pati shtabin e përgjithshëm dhe drejtoritë përkatëse, zonat operative, brigadat e jo një strukturë paralele. Lajmi se pati NPK brenda UÇK-së është i pavërtetë.

Kjo prokurori që e quan NPK natyrisht që është dashur të thoshte se kishte qëllim paralel. Kjo nuk është mundshme pa shpikjen e një qëllimi, prandaj sipas tyre qëllimi nuk ishte çlirimi por paska qenë të fitojë dhe ushtrojë kontroll gjithandej në Kosovë dhe madje kjo qysh nga marsi i vitit 1998.

Po të thuhej që ndokush prej tyre pati qëllim kontrollin në mars te vitit 2008 mund të besohej por kurrsesi në mars të 1998.

Shteti duhet ta organizojë dhe koordinojë mbrojtjen e të pandehurve, nevojitet bashkërendim i shtetit. UÇK-ja s’ka qenë veç e njërit, por e të gjithëve.

Kjo është edhe punë qeverie, është qeveria e Kosovës ajo që duhet të angazhohet për mbrojtjen në këtë proces. Për fat të keq në këtë kohë të vështirë, Kosova s’ka një qeveri që mund ta bëjë këtë. Tash është qeveri e pakicës që po tkurret përditë, s’mund ta shpëtojë as vetveten e lëre më dikë tjetër.

Ne duhet të jemi bashkë për luftën tonë çlirimtare e kundër Serbisë e cila nuk na njeh sepse është e papenduar për krimet e kryera. Kemi bërë shumë gabime, s’kemi pse bëjmë gabime tjera”, tha Kurti.

/GazetaSinjali/